iOS 26.1 sjell opsionin për të zvogëluar transparencën “Liquid Glass” në iPhone
Në përditësimin e fundit të sistemit operativ, iOS 26.1, kompania Apple ka përfshirë një tipar të kërkuar prej kohësh: mundësinë për të ndryshuar transparencën e dizajnit “Liquid Glass”, që dominon ndërfaqen grafike të pajisjes.
Përpara këtij përditësimi, përdoruesit që synonin më shumë kontrast ose lexueshmëri më të mirë duhej të aktivizonin opsione të ndryshe në aksesibilitet — që praktikisht do të hiqnin komplet efekte të dizajnit. Me iOS 26.1, tani mund të shkojnë te Settings → Display & Brightness → Liquid Glass dhe të zgjedhin mes opsionit “Clear” (transparencë e plotë) ose “Tinted” (më e errët). Një preview tregon menjëherë ndryshimin.
Dizajni “Liquid Glass” u prezantua si një nga ndryshimet më të rëndësishme vizuale nga Apple që pas transformimit të madh dizajnit në vitin 2013. Megjithatë, përdorues të shumtë raportuan se transparenca e lartë e ndërfaqes bënte të vështirë leximin e njoftimeve dhe përdorimin e navigacionit në aplikacionet ditore.
Përveç këtyre modifikimeve vizuale, iOS 26.1 përfshin edhe aftësinë për të hapur aplikacionin e kamerës nga ekrani i kyçur me një rrëshqitje në të majtë (Settings → Camera → Lock Screen Swipe to Open Camera), si dhe mundësinë për të kapur audio dhe video gjatë një thirrjeje në video në pajisjet iPad.
/ZoneX Albania – www.zonex.al