Meta ndalon vjedhjen e Reels: mjeti i ri kontrollon copyright-in para postimit
Meta ka shtuar një veçori të re te Reels Composer në Facebook: “Copyright Check”, që u vjen në ndihmë krijuesve për të identifikuar përmbajtje që mund të shkelë të drejtat e autorit përpara publikimit.
Kur kjo veçori është aktivizuar, Reels-et e përgatitura skanohen automatikisht dhe nëse gjendet përmbajtje me copyright, publikimi ndalohet për një orë—një periudhë që krijuesi mund të përdorë për të bërë ndryshime, hequr ose zëvendësuar skena problematike.
Në rast se krijuesi zgjedh të mos aktivizojë këtë kontroll paraprak, Meta thotë se do të kryejë një verifikim edhe pas publikimit. Në rast të shkeljeve, mund të ndiqen veprime nga pronarët e të drejtave, si demonetizimi, kufizimi i audiencës ose heqja e audio-s.
Ky mjet është projektuar për të lehtësuar procesin e krijimit të Reels dhe për të zvogëluar pasojat negative që sjellin pretendimet e copyright-it.
Shtimi i “Copyright Check” është gjithashtu pjesë e përpjekjes më të gjerë të Meta-s për të luftuar përmbajtjen jo origjinale dhe ripublikuese, për të mbrojtur autorët dhe për të siguruar që krijuesit marrin kreditimin e duhur.
/ZoneX Albania – www.zonex.al