Google dhe Accel kërkojnë gjeneratën e re të startup-eve indiane në AI

Google dhe Accel kërkojnë gjeneratën e re të startup-eve indiane në AI




Google ka zyrtarizuar një partneritet të ri me firmën e investimeve Accel për të identifikuar dhe mbështetur startup-et e hershme indiane që po ndërtojnë teknologji të reja në fushën e Inteligjencës Artificiale. Kjo është hera e parë që Google AI Futures Fund bashkëpunon me Accel për investime në ekipet në fazat më të hershme në Indi.

Për programin e vitit 2026, Google dhe Accel planifikojnë të investojnë deri në 2 milionë dollarë, ndërsa secila palë do të kontribuojë me deri 1 milion për startup-et që zgjidhen përmes programit të Accel, të njohur si Atoms. Përveç investimit financiar, Google do t’u ofrojë themeluesve akses në burime kompjuterike në Google Cloud, si dhe përdorimin e modeleve dhe API-ve të DeepMind dhe Gemini.

Sipas Accel, bashkëpunimi synon “të fuqizojë themeluesit që po ndërtojnë produkte për miliarda përdorues indianë, por edhe kompani që kanë potencialin të fitojnë terren në tregun global”.

India po shihet si një pikë strategjike: vendi ka miliona përdorues dixhitalë, një bazë të gjerë talenti dhe infrastrukturë në rritje, por ende ka pak kompani që ndërtojnë modele themelore të AI-së.

Startup-et që do të zgjidhen do të mbështeten në fusha të ndryshme — nga krijimtaria dhe kodimi, deri te mjetet e punës dhe argëtimi — dhe Google nuk e përjashton mundësinë që të investojë edhe në ekipe që po zhvillojnë modele AI në shkallë të gjerë.

Përveç kapitalit dhe burimeve teknologjike, programi do t’u ofrojë themeluesve udhëtime pune në Londër dhe Silicon Valley, si dhe mentorim nga ekspertë të Google dhe Accel. Sipas Jonathan Silber, drejtor i Google AI Futures Fund, bashkëpunimi me Accel në Indi është i pari i këtij lloji për fondin: “Kemi një besim të madh tek themeluesit indianë dhe potenciali i tyre për të sjellë teknologji që ndryshojnë industri të tëra”.

Ky investim vjen në një periudhë kur Google po zgjeron praninë e saj në Indi me qendra të reja të dhënash dhe projekte të lidhura me cloud-in — duke e konsoliduar vendin si një qendër të rëndësishme të inovacionit në AI.



/ZoneX Albania – www.zonex.al