Britania nis blerjen e teknologjisë vendase për të çuar përpara sektorin e inteligjencës artificiale

Britania nis blerjen e teknologjisë vendase për të çuar përpara sektorin e inteligjencës artificiale




Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka prezantuar një plan të ri për të rritur sektorin e inteligjencës artificiale duke vënë në dispozicion 100 milionë paund për blerjen e teknologjisë së çipeve nga kompani të reja britanike. Skema e re e vendos shtetin në rolin e “klientit të parë”, duke garantuar blerje të teknologjive që arrijnë standardet e kërkuara të performancës.

Modeli është frymëzuar nga strategjia që Britania përdori gjatë pandemisë, kur qeveria investoi paraprakisht në vaksina ende pa dalë në treg. Tani e njëjta logjikë po aplikohet për të ndërtuar një industri kombëtare të AI-s, duke i dhënë start-up-eve siguri financiare dhe mundësi për t’u rritur më shpejt.

Ministrja e Shkencës, Liz Kendall, deklaroi se Britania duhet të pozicionohet si një vend që prodhon teknologji, jo vetëm që e përdor atë. Ajo theksoi se vendi ka potencial të fortë në fusha strategjike si shkencat e jetës, shërbimet financiare, mbrojtja dhe industritë kreative — sektorë ku teknologjitë e reja AI mund të sjellin rritje të shpejtë ekonomike.

Skema e re vjen në një moment kur qeveria është angazhuar në investime më të gjera për AI-n, përfshirë krijimin e të ashtuquajturave Zona të Rritjes së AI-s dhe zgjerimin e qasjes në kapacitete të mëdha komputimi për universitetet, bizneset dhe qendrat kërkimore.

Në të njëjtën linjë, qeveria ka ngritur edhe Sovereign AI Unit, një njësi e posaçme që mbështetet nga afro 500 milionë paund investime. Drejtues i saj do të jetë investitori i njohur James Wise, i cili do të punojë me industrinë, akademinë dhe sektorin publik për të identifikuar dhe financuar bizneset që mund të shndërrohen në kampionë kombëtarë të teknologjisë.

Pavarësisht ambicies, ka edhe pikëpyetje. Shuma prej 100 milionë paundësh shihet nga disa ekspertë si modeste krahasuar me investimet miliardëshe në SHBA dhe Kinë. Ka gjithashtu shqetësime se garancia e blerjes nga qeveria mund të krijojë avantazh të padrejtë për disa kompani të zgjedhura. Për momentin, detajet e standardeve që duhet të përmbushin çipet për t’u kualifikuar nuk janë bërë ende publike, gjë që ka shtuar diskutimet rreth transparencës së skemës.

Megjithatë, qeveria argumenton se këto hapa janë thelbësorë për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dixhitale. Sipas planit të ri, departamentet shtetërore pritet të investojnë miliarda në data-centra dhe infrastrukturë moderne teknologjike që do të shërbejë si bazë për zhvillimin e AI-s në dekadat e ardhshme.

Kjo qasje synon të sjellë jo vetëm rritje ekonomike, por edhe pozicionimin e Britanisë si një nga vendet kryesore në garën globale për inteligjencën artificiale. Duke marrë rolin e klientit të parë, qeveria kërkon të krijojë terrenin e nevojshëm që inovacionet britanike të marrin vrull, të testohen në treg dhe të dalin përtej kufijve.



/ZoneX Albania – www.zonex.al