Vitalik Buterin dhuron 765 mijë dollarë në Ethereum për dy aplikacione mesazhesh që mbrojnë privatësinë totale
Themeluesi i Ethereum-it, Vitalik Buterin, ka dhuruar rreth 765 mijë dollarë në Ethereum (256 ETH) për të mbështetur zhvillimin e dy aplikacioneve të mesazheve që vendosin privatësinë në qendër: Session dhe SimpleX Chat. Donacioni u bë i ditur përmes një postimi në platformën X, ku Buterin theksoi se mbrojtja e komunikimit duhet të shkojë shumë përtej enkriptimit të përmbajtjes.
Sipas tij, sfida reale qëndron tek metadata-t: kush po flet me kë, kur dhe sa shpesh. Këto të dhëna mund të jenë po aq të rëndësishme sa vetë mesazhi, ndaj aplikacionet e së ardhmes duhet të garantojnë privatësi të plotë strukturore, pa varësi nga identitete të lidhura me numra telefoni apo llogari qendrore.
Session funksionon përmes një rrjeti të decentralizuar që nuk përdor serverë qëndrorë. Aplikacioni nuk kërkon numër telefoni, email apo forma të tjera identifikimi, duke ofruar një komunikim pothuajse anonim.
Ndërkohë, SimpleX Chat fokusohet tek kontrolli absolut i përdoruesit mbi kontaktet, komunitetet dhe identitetin dixhital, pa ruajtur metadata në ndonjë server të centralizuar. Të dy projektet synojnë një stil komunikimi ku platforma nuk di asgjë për përdoruesit e saj. Buterin pranoi se edhe pse perspektiva është premtuese, ende ka sfida: mbështetja në shumë pajisje, rezistenca ndaj sulmeve Sybil ose DoS, dhe zhvillimi i një infrastrukture vërtet të decentralizuar që funksionon në shkallë të gjerë.
Megjithatë, në një epokë ku debatet për privatësinë po intensifikohen dhe ku kontrolli i komunikimit online po bëhet gjithnjë e më kritik, kontributi i Buterinit shihet si një qëndrim i qartë: privatësia nuk është opsion, por e drejtë thelbësore. Donacionet e tij synojnë të nxisin teknologjitë që garantojnë liri dhe siguri në komunikim – pa lënë gjurmë.
/ZoneX Albania – www.zonex.al