Netflix po ndryshon rregullat e lojës: aplikacioni i ri synon të mbajë përdoruesit të lidhur çdo ditë
Netflix po përgatitet për një nga ndryshimet më të rëndësishme në historinë e aplikacionit të saj. Në vitin 2026, platforma synon të prezantojë një përvojë të re përdorimi, e cila shkon përtej idesë klasike të një biblioteke filmash dhe serialesh, duke u afruar gjithnjë e më shumë me logjikën e rrjeteve sociale dhe angazhimit të përditshëm.
Ridizajnimi i aplikacionit vjen në një moment kur vëmendja e përdoruesve është kthyer në monedhën më të çmuar të internetit. Netflix e pranon se sot nuk konkurron vetëm me platformat e tjera të streaming-ut, por edhe me TikTok, Instagram dhe YouTube – hapësira ku njerëzit kalojnë minuta, madje orë, çdo ditë. Pikërisht për këtë arsye, kompania po kërkon mënyra të reja për ta bërë aplikacionin një destinacion ditor, jo thjesht një mjet për të zgjedhur çfarë të shohësh në mbrëmje. Në qendër të këtij transformimi është përmbajtja vertikale dhe videoja e shkurtër. Aplikacioni i ri do të përfshijë klipet më tërheqëse nga serialet, filmat dhe projektet origjinale, të shfaqura në një format të ngjashëm me “scroll”-in e rrjeteve sociale. Ideja është e thjeshtë: përdoruesi nuk kërkon më gjatë, por zbulon përmbajtjen në mënyrë intuitive, duke u ndalur aty ku interesi lind natyrshëm.
Krahas kësaj, Netflix po eksploron edhe formate të reja si podcastet video dhe përmbajtje më spontane, që synojnë të krijojnë një lidhje më të shpeshtë dhe më personale me audiencën. Sipas drejtuesve të kompanisë, ridizajni nuk është një ndryshim kozmetik, por një bazë fleksibile që do të evoluojë vazhdimisht, përmes testimeve dhe përmirësimeve të njëpasnjëshme. Megjithatë, Netflix thekson se nuk synon të shndërrohet në një rrjet social klasik. Qëllimi është të ruajë identitetin e tij si platformë argëtimi cilësor, ndërsa mënyra e zbulimit të përmbajtjes bëhet më moderne dhe më e përshtatur me zakonet digjitale të sotme. Në një treg ku konkurrenca për vëmendjen është më e fortë se kurrë, ky hap tregon se Netflix është i gatshëm të riformësojë veten për të mbetur relevant edhe në vitet që vijnë.
/ZoneX Albania – www.zonex.al