Apple i detyrohet Masimo-s 634 milionë dollarë për shkelje patente
Një juri federale në Kaliforni ka vendosur se Apple duhet t’i paguajë kompanisë Masimo 634 milionë dollarë dëmshpërblim për shkelje të patentës që lidhet me teknologjinë e matjes së oksigjenit në gjak. Vendimi përfshin disa funksione të Apple Watch, përfshirë modalitetin e stërvitjes dhe njoftimet për rrahjet e zemrës, të cilat juria i konsideroi si një përdorim të paautorizuar të inovacioneve të patentuara nga Masimo.
Masimo e ka cilësuar këtë vendim si një fitore të rëndësishme në mbrojtjen e pronësisë së saj intelektuale. Kompania thekson se do të vazhdojë të mbrojë teknologjinë e vet mjekësore dhe kërkimet e avancuara që ka zhvilluar ndër vite. Nga ana tjetër, Apple ka reaguar duke thënë se do ta apelojë vendimin. Sipas kompanisë, patentat në fjalë kanë skaduar në vitin 2022 dhe bazohen në teknologji që Apple i konsideron të vjetruara, ndaj dhe kundërshton gjetjet e jurisë.
Përplasjet mes dy kompanive nuk janë të reja. Masimo ka akuzuar më herët Apple se ka punësuar qëllimisht inxhinierë dhe specialistë të saj për të përfituar nga njohuritë teknike të brendshme. Teknologjia e pulse oximetry, e cila mat përqindjen e oksigjenit në gjak, ka qenë prej vitesh në qendër të këtij konflikti që përfshin gjykata dhe institucione rregullatore.
Më herët, Komisioni Ndërkombëtar i Tregtisë në SHBA kishte mbështetur Masimo-n në një çështje të ngjashme, duke ndaluar importimin e disa modeleve të Apple Watch që përfshinin funksionin e monitorimit të oksigjenit në gjak. Vendimi i fundit i jurisë kaliforniane pritet të ndikojë më tej në betejën ligjore mes dy kompanive dhe në mënyrën si Apple do të qaset ndaj teknologjive shëndetësore në produktet e saj të ardhshme.
/ZoneX Albania – www.zonex.al