Britania legalizon ETN-të e kriptove për investitorët retail
Tratiphy dhe 21Shares sjellin për herë të parë ETN-të e kriptove për investitorët britanikë
Në një zhvillim të rëndësishëm për tregun financiar britanik, aplikacioni i menaxhimit të pasurisë Stratiphy ka njoftuar një partneritet me kompaninë zvicerane 21Shares, e njohur si një nga ofruesit më të mëdhenj në botë të produkteve të tregtueshme me bazë kriptomonedhash (ETP/ETN). Kjo marrëveshje u hap rrugën investitorëve retail në Mbretërinë e Bashkuar për të blerë dhe mbajtur instrumente të rregulluar të lidhur me kriptovalutat si pjesë e portofolave të tyre investues.
Ky hap vjen pas heqjes së ndalimit katërvjeçar nga Autoriteti për Sjellje Financiare (FCA), i cili deri më tani nuk lejonte që investitorët individualë të kishin akses në produkte të tilla. Me hyrjen në fuqi të rregullave të reja këtë muaj, ETN-të e bazuara në Bitcoin dhe Ethereum do të mund të përfshihen në portofolat e investimeve, përfshirë edhe ato me përfitime tatimore si ISA dhe SIPP.
Akses i lehtë dhe i automatizuar për investitorët e zakonshëm
Platforma Stratiphy, e fokusuar në menaxhimin e investimeve të personalizuara përmes inteligjencës artificiale, do t’u mundësojë përdoruesve të shtojnë asete dixhitale në portofolat e tyre krahas aksioneve dhe obligacioneve tradicionale. Aplikacioni ndihmon përdoruesit të ndërtojnë strategji të balancuara, të përcaktojnë nivelet e rrezikut dhe të automatizojnë vendimet investuese në mënyrë të sigurt.
“Partneriteti me 21Shares na mundëson të ofrojmë akses të sigurt dhe të rregulluar në botën e aseteve dixhitale për investitorët britanikë. Ky është një hap i madh drejt integrimit të kriptomonedhave në investimet e përditshme,” – tha një zëdhënës i Stratiphy.
21Shares, gjiganti i produkteve kripto në Evropë
21Shares, me mbi 11 miliardë dollarë aktive të menaxhuara, është ndër kompanitë më të mëdha evropiane në tregun e ETP-ve të kriptomonedhave. Produktet e saj janë të listuara në bursa të ndryshme në Zvicër, Gjermani dhe Francë, duke ofruar një gamë të gjerë ETN-sh që mbulojnë kriptovalutat kryesore. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, kjo marrëveshje me Stratiphy është “një hap i rëndësishëm drejt rritjes së aksesit institucional dhe retail në asetet dixhitale në tregun britanik”, i cili parashikohet të shënojë një rritje të ndjeshme pas liberalizimit të rregullave nga FCA.
/ZoneX Albania – www.zonex.al