Ish-inxhinierët e Google krijojnë një aplikacion mësimor me AI që e kthen kureshtjen e fëmijëve në aventurë
Tre ish-punonjës të Google po përpiqen të riformësojnë edukimin digjital për fëmijët përmes një aplikacioni të ri të mbështetur në inteligjencë artificiale. Projekti i tyre, i quajtur Sparkli, synon të kthejë pyetjet e zakonshme të fëmijëve në përvoja interaktive, duke e bërë mësimin më tërheqës, më intuitiv dhe më afër mënyrës natyrore se si ata eksplorojnë botën.
Ideja lindi nga një zhgënjim i thjeshtë, por i përbashkët për shumë prindër. Themeluesit vunë re se mjetet ekzistuese, edhe kur përdorin AI të avancuar, u ofrojnë fëmijëve përgjigje të gjata në formë teksti, të cilat rrallëherë arrijnë të mbajnë vëmendjen e tyre. Fëmijët nuk kërkojnë thjesht informacion, por përjetim. Pikërisht këtu synon të ndërhyjë Sparkli. Në vend të përgjigjeve lineare, aplikacioni përdor një kombinim të zërit, animacioneve, imazheve, videove dhe mini-lojërave për të shpjeguar koncepte të ndryshme. Një pyetje e thjeshtë si “pse bie shi?” mund të shndërrohet në një udhëtim vizual përmes reve, ndërsa një interes për planetët kthehet në eksplorim interaktiv të hapësirës. Qëllimi është që fëmija të mos jetë thjesht dëgjues, por pjesëmarrës aktiv në procesin e të nxënit.
Sparkli është ndërtuar për fëmijë nga 5 deri në 12 vjeç dhe ofron edhe rrugë mësimore të personalizuara. Inteligjenca artificiale përshtat përmbajtjen sipas interesave të fëmijës, duke e ndjekur kureshtjen e tij dhe duke propozuar tema të reja çdo ditë. Kjo qasje synon të nxisë mësimin e vazhdueshëm, pa presion dhe pa ndjesinë e detyrimit shkollor. Aplikacioni është testuar tashmë në disa dhjetëra shkolla, ku mësuesit kanë kontribuar në ndërtimin e përmbajtjes për ta bërë atë pedagogjikisht të qëndrueshme. Themeluesit shpresojnë që Sparkli të përdoret si në shtëpi, ashtu edhe në klasë, si një mjet plotësues dhe jo zëvendësues i mësimit tradicional. Në një kohë kur teknologjia shpesh akuzohet se shpërqendron fëmijët, Sparkli synon të tregojë se, e përdorur siç duhet, inteligjenca artificiale mund të rikthejë diçka thelbësore: kënaqësinë e të mësuarit.
/ZoneX Albania – www.zonex.al