Meta sjell një qasje të re për imazhe dhe video të gjeneruara nga AI në 2026

Meta sjell një qasje të re për imazhe dhe video të gjeneruara nga AI në 2026




Meta po punon në zhvillimin e një modeli të ri të inteligjencës artificiale për gjenerimin e imazheve dhe videove, i cili pritet të prezantohet gjatë vitit 2026. Lajmi, tregon ambicien e kompanisë për të zgjeruar ndjeshëm aftësitë e saj në krijimin e përmbajtjes vizuale, në një kohë kur konkurrenca në fushën e AI-së po bëhet gjithnjë e më e ashpër.

Sipas burimeve të njohura me projektin, modeli i ri do të fokusohet në gjenerimin e përmbajtjes vizuale me cilësi të lartë, duke përfshirë jo vetëm imazhe statike, por edhe video të krijuara drejtpërdrejt nga tekstet përshkruese. Kjo e vendos Meta-n në të njëjtën linjë strategjike me kompani që tashmë kanë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, si OpenAI dhe Google. Modeli i ri, që sipas raportimeve të brendshme mban një emër kodues, është pjesë e një strategjie më të gjerë për AI multimodale, ku synohet kombinimi i tekstit, imazhit dhe videos në një sistem të vetëm. Për Meta-n, kjo do të thotë jo vetëm mjete më të avancuara kreative për përdoruesit e platformave si Instagram dhe Facebook, por edhe potencial të ri për zhvilluesit dhe bizneset që ndërtojnë produkte mbi ekosistemin e saj.

Zhvillimi i këtij modeli vjen në një moment kur përmbajtja vizuale e gjeneruar nga AI po fiton terren të shpejtë, veçanërisht në marketing, argëtim dhe krijim digjital. Një mjet i fuqishëm për video dhe imazh do t’i lejonte Meta-s të ofrojë funksione të reja, nga reklama të personalizuara deri te mjete kreative për krijuesit e përmbajtjes. Megjithatë, ndërtimi i modeleve të tilla kërkon burime të mëdha llogaritëse dhe investime të konsiderueshme, ndërsa sfidat rreth të drejtave të autorit, transparencës dhe përdorimit etik të AI-së mbeten të hapura. Meta, ashtu si rivalët e saj, do të duhet të balancojë inovacionin me përgjegjësinë, veçanërisht në një mjedis rregullator gjithnjë e më të kujdesshëm. Nëse planet realizohen sipas afatit, lançimi i vitit 2026 mund ta pozicionojë Meta-n si një nga aktorët kryesorë në gjenerimin vizual me AI, duke e thelluar më tej garën mes gjigantëve teknologjikë për dominim në epokën e inteligjencës artificiale.



/ZoneX Albania – www.zonex.al