Raporti zbulon: 10 % e të ardhurave të Meta-s vijnë nga reklama të rreme

Raporti zbulon: 10 % e të ardhurave të Meta-s vijnë nga reklama të rreme




Kompania Meta, pronare e platformave si Facebook dhe Instagram, ka parashikuar se rreth 10 % të të ardhurave vjetore të saj – përkatësisht afër 16 miljardë dollarë – në vitin 2024 mund të jenë të ardhura nga reklama mashtruese ose reklama për produkte të ndaluara.

Dokumentet e brendshme, të siguruara nga agjencia Reuters dhe raportuar nga TechCrunch, tregojnë se për të paktën tri vite Meta nuk ka arritur të ndalojë në mënyrë efektive një volum të madh të reklamave që ofrojnë lojëra kumari të paligjshme, skema investimi mashtruese, ose produkte mjekësore të ndaluara.

Sistemi i kontrollit të Meta‑s për reklama të dyshimta punon kështu: nëse platforma arrin një bindje prej 95 % se një reklamues po mashtron, atëherë e mbyll atë reklamues. Në rastet kur probabiliteti është më i ulët, Meta jo vetëm që nuk ndërhyn menjëherë, por me disa reklama të dyshimta përfiton duke rritur tarifat e reklamuesve.

Megjithatë, Meta argumenton se ky vlerësim prej 10 % ishte “i përkohshëm dhe i mbivlerësuar”, dhe se përfshinte edhe reklama të ligjshme që ishin kategorizuar me rezervë. Përfaqësuesi i kompanisë tha se “pamja që japin dokumentet është selektive dhe sjell një vizion të deformuar” për qasjen ndaj mashtrimeve dhe skemave të reklamave.



/ZoneX Albania – www.zonex.al