Senati amerikan cakton janarin për shqyrtimin e ligjit kyç të strukturës së tregut kripto

Senati amerikan cakton janarin për shqyrtimin e ligjit kyç të strukturës së tregut kripto




Senati i Shteteve të Bashkuara ka caktuar muajin janar për fazën “markup” të projektligjit mbi strukturën e tregut të kriptomonedhave, duke e çuar përpara një nga nismat më të rëndësishme ligjore për të ardhmen e industrisë kripto në vend. Lajmi, sinjalizon se pas muajsh pritjeje dhe negociatash politike, procesi ligjvënës po hyn në një fazë konkrete dhe vendimtare.

Projektligji, i njohur si Digital Asset Market Clarity Act (CLARITY Act), synon të vendosë një kornizë të qartë federale për rregullimin e aseteve digjitale. Në qendër të tij qëndron ndarja e përgjegjësive mes dy rregullatorëve kryesorë financiarë amerikanë: Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC) dhe Komisionit për Tregtimin e Kontratave të Mallrave (CFTC). Prej vitesh, mungesa e qartësisë mbi rolin e secilit institucion ka krijuar pasiguri ligjore për kompanitë kripto dhe investitorët. Faza e “markup”-it është momenti kur komitetet përkatëse të Senatit diskutojnë tekstin e ligjit në detaje, propozojnë ndryshime dhe votojnë për versionin që do t’i paraqitet më pas seancës plenare. Kjo e bën janarin një muaj kyç për fatin e legjislacionit dhe për drejtimin që do të marrë rregullimi i tregut kripto në SHBA.

CLARITY Act kishte kaluar më herët në Dhomën e Përfaqësuesve me mbështetje dypartiake, por në Senat procesi u ngadalësua nga debatet politike dhe shqetësimet mbi pavarësinë e rregullatorëve financiarë. Disa senatorë kanë shprehur rezerva se ndryshimet e propozuara mund të kufizojnë fuqinë mbikëqyrëse të SEC, ndërsa të tjerë argumentojnë se pa qartësi ligjore, inovacioni rrezikon të largohet jashtë SHBA-së. Për industrinë kripto, ky ligj shihet si një mundësi historike për të vendosur rregulla të qarta loje, duke reduktuar pasiguritë ligjore dhe konfliktet me autoritetet. Një kornizë e unifikuar federale mund të hapë rrugën për pjesëmarrje më të madhe të institucioneve financiare tradicionale dhe për zhvillim më të qëndrueshëm të tregut.

Megjithatë, rezultati final mbetet i pasigurt. Ndryshimet që do të propozohen gjatë “markup”-it dhe balanca politike në Senat do të përcaktojnë nëse CLARITY Act do të shndërrohet në ligjin që industria kripto ka kërkuar prej vitesh, apo në një kompromis më të kufizuar.



/ZoneX Albania – www.zonex.al