Startup Albania: Platforma e re për sipërmarrësit
Në Tiranë është prezantuar zyrtarisht platforma kombëtare “Startup Albania”, një iniciativë e qeverisë shqiptare që synon të mbështesë sipërmarrjet e reja, idetë inovative dhe zhvillimin digjital. Ceremonia e lançimit u mbajt tek Piramida, në Innovative Hub, dhe u ndoq nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Gjatë prezantimit u theksua se platforma do të shërbejë si një pikë referimi për të rinjtë dhe sipërmarrësit, duke ofruar trajnim, mentorim, mbështetje financiare dhe një treg digjital ku startup-et do të mund të lidhen me investitorë, korporata dhe institucione publike. Një prej objektivave kryesore është thjeshtimi i procedurave burokratike dhe krijimi i një mjedisi më transparent e efikas për zhvillimin e ideve të reja.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces pritet ta ketë edhe Diella, asistenti virtual i bazuar në inteligjencën artificiale, i cili tashmë është pjesë e platformës e-Albania. Sipas qeverisë, Diella nuk do të marrë vendime politike, por do të ndihmojë në përpunimin e të dhënave dhe ofrimin e përgjigjeve të shpejta për qytetarët dhe bizneset. Kryeministri Rama shtoi se në të ardhmen e afërt Diella mund të shfaqet edhe në formë fizike në takime publike, duke mundësuar ndërveprim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Ministrja Delina Ibrahimaj theksoi se zhvillimi teknologjik dhe inovacioni janë pjesë e pandashme e strategjisë ekonomike të vendit, ndërsa platforma Startup Albania pritet të bëhet një hapësirë ku idetë e reja do të gjejnë mbështetje reale për t’u kthyer në biznese të qëndrueshme.
Kjo nismë shihet si një hap i rëndësishëm për fuqizimin e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri, duke nxitur punësimin, inovacionin dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
/ZoneX Albania – www.zonex.al