Agentforce Vibes: mjeti i ri i Salesforce për kodim me AI
Ndërmarrja teknologjike Salesforce sapo hodhi në treg një mjet të ri për zhvillues — Agentforce Vibes — që përdor AI për të automatizuar pjesë të shumta të procesit të kodimit për aplikacione në mjedisin e ndërmarrjeve.
Ky shërbim i ri fut në lojë konceptin e njohur si vibe coding, ku zhvilluesit përshkruajnë nevojat e tyre në gjuhë natyrore dhe agjentët e AI shkruajnë kodin. Agentforce Vibes mund të udhëheqë procesin nga faza e ideimit e deri te komponentët si “observability” (monitorimi dhe analiza) — të gjitha duke integruar kontrolle enterprise për sigurinë dhe qeverisjen.
Një komponent kyç i kësaj platforme është agjenti autonom Vibe Codey. Ky agjent lidhet me llogarinë ekzistuese të Salesforce në organizatë, gjë që i lejon të përdorë kodin që është tashmë shkruar dhe udhëzon zhvilluesit sipas praktikave dhe standardeve të kodimit të organizatës.
Dan Fernandez, nënkryetar i produktit për shërbimet për zhvillues te Salesforce, shpjegoi për TechCrunch se lidhja me account-in ekzistues lejon që kompanitë të përdorin vibe coding pa pasur rreziqe të sigurisë dhe pa nisur gjithçka nga zero. Ai tha se të gjitha mjetet e nevojshme (komunikimi me modele, ambient zhvillimi, integrime) vijnë gati, duke ulur pengesat për fillim.
Kjo nuk është futja e parë e Salesforce në hapësirën e vibe coding — kompania ka ndërmarrë më parë hapa të ngjashëm, por Agentforce Vibes është shtesa më e avancuar e portofolit të saj për zhvilluesit.
Kapacitetet e reja janë ndërtuar mbi një version të modifikuar të një agjenti kodimi open source — Cline (extension i Visual Studio Code), që përkrah komunikimin në standardin MCP (Model Context Protocol) për të lidhur modelet me burime dhe mjete të jashtme.
Industria e vibe coding po tërheq shumë vëmendje dhe investime. Disa startup-e në këtë fushë janë vlerësuar shumë shpejt. Por, një sfidë kryesore mbetet kostoja e lartë për përdorimin masiv të modeleve të mëdha. Salesforce parashikon ta ndërmarrë këtë model brenda paketës së saj më të madhe, duke bërë që kostot relative të kenë rëndësi më të vogël.
Çdo organizatë Salesforce do të ketë 50 kërkesa falas në ditë me modelin OpenAI GPT-5; kërkesat e mëtejshme mund të përpunohen me modelin Qwen 3.0 që hostohet nga vetë Salesforce. Aktualisht, Agentforce Vibes po ofrohet falas për përdoruesit ekzistues, ndërsa planet me çmim pritet të prezantohen më vonë.
/ZoneX Albania – www.zonex.al